Parlamenti Europian, Foto: Antigonë Isufi, 16.04.2024

Nis debati për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës

Në Parlamentin Europian ka nisur debati i Asamblesë Parlamentare për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KE).

Në fund pritet të hidhet në votim për miratim raporti i raportueses për Kosovë, Dora Bakoyannis, e cila në raportin e saj rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u anëtarësuar në KE.

Nga delegacioni i Kosovës në Asamblenë do të flasin tre deputetë të Kosovës të cilët janë pjesë e delegacionit të Kuvendit.

I pari do të flas deputeti Enis Kervan nga Grupi Multietnik në Kosovë nga gjithsej 59 deputetë që do të flasin gjatë këtij sesioni. Më pas i shtatëmbëdhjeti me radhë do të flasë deputeti Arben Gashi dhe në fund apo e 33 pritet të dëgjohet nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Nga delegacioni i Kosovës në Asamblenë Parlamentare ndodhen edhe deputeti Besnik Tahiri dhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi.

Përveç tyre seancën plenare kanë ardhur ta përcjellin edhe ministrja e Jashtme Donika- Gërvalla së bashku me ambasadorin në Francë, Mehdi Halimi.

Gjatë ditës, Komiteti për Politikë në kuadër të Këshillit të Europës i ka hedhur poshtë amandamentet e propozuara nga Serbia, njëherësh nuk e ka kaluar as amandamentin e propozuar nga Italia, i cili rekomandonte përfshirjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.

Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.

Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.