Nagavci pas pezullimit të profesorit Xhevat Krasniqi: Asnjë shkelje nuk do të mbetet pa ndëshkuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Rektoratit dhe Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për pezullimin e profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Teksa ka thënë se mbështet vendimin, ajo ka deklaruar se asnjë shkelje nuk mbetet pa u ndëshkuar në universitete.

“Asnjë shkelje nuk do të mbetet pa ndëshkuar në universitetet tona. Ashtu siç jemi zotuar se për të gjitha sjelljet që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, në veçanti rastet e ngacmimeve seksuale toleranca do të jetë zero”- është shprehur ajo.

Sipas saj, organet përgjegjëse të Universitetit të Prishtinës në funksion të autonomisë së tyre e trajtuan dhe morën vendim për rastin e fundit, sepse arsimi duhet të udhëhiqet nga kodi i etikës dhe sjellja profesionale.

“E kundërta do të ndëshkohet gjithmonë! Shpresoj që edhe organet e hetuesisë të veprojnë me efikasitet në trajtimin e këtij rasti”- ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa ka apeluar të gjitha institucionet arsimore, të ndërmarrin hapa për të parandaluar çfarëdo shkelje të kodit të etikës dhe të krijojnë mjedise të sigurta.

Po ashtu, ministrja i inkurajoi studentët të denoncojnë çdo rast të tillë apo shqetësim.

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është iniciuar rast ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Xhevat Krasniqi, në drejtim të veprës penale – ngacmim seksual.

Krasniqi u pezullua më 23.04.2024 nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës të UP-së.

Në vendimin e Rektoratit për këtë rast thuhet se Këshilli i Etikës e ka rekomanduar pezullimin e Krasniqit derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit.