Jeta në Kosovë debaton për reformën e administratës publike në Kosovë

Pse administrata në Kosovë është kaq e politizuar? Si po shkon procesi i reformimit në administratën publike? A mjaftojnë vetëm ligjet dhe aktet nënligjore për të reformuar administratën publike? Sa është qeveria e interesuar që të bëhen reforma në administratë? Pse postet kyçe në qeveri dhe agjencitë publike të Kosovës udhëhiqen nga ushtrues detyre? Sa janë profesional ushtruesit civilë? Sa i kushtojnë buxhetit të Kosovës pagat e shërbyesve civilë?

Për të diskutuar këto dhe çështje tjera lidhur me temën, mysafirë të Edona Musës në studio do të jenë:

Dren Zeka, nga Ministria e Administratës Publike,
Donika Kadaj – Bujupi, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së,
Arben Gashi, nga Komuna e Prishtinës dhe
Agron Demi, nga Instituti GAP.

Gjatë debatit, gjithashtu do të transmetohet një reportazh përgatitur nga gazetari Muhamet Hajrullahu, që flet për numrin e madh të ushtruesve të detyrës në Qeverinë e Kosovës. Një reportazh tjetër përgatitur nga gazetari Alban Selimi për shërbyesit civil, vë në pah numrin e madh të shërbyesve civil dhe koston e lartë të këtij numri në buxhetin e Kosovës.

Në kuadër të emisionit, BIRN transmeton edhe dy reportazhe të përgatitura nga hulumtuesit në terren. Faton Ademi ka përgatitur reportazhin për shfrytëzimin e paautorizuar të pronës ndërsa gazetari Alban Selimi ka vizituar spitalin e Vushtrrisë dhe ka biseduar me kirurgët e këtij spitali për problemet dhe shqetësimet me të cilat ata ballafaqohen.

Në fund të emisionit, në rubrikën “Kulmi i Javës”, hulumtuesja Vlora Osmani sjellë reportazhin për turneun e debatit të formatit Karl Popper, “Ferizaj Open 2010” dhe fituesit e çmimit kryesor në këtë garë debati për nxënës të shkollave të mesme.