Ndërrimi i tabelave të komunikacionit në veri. Foto: Liburin Aliu/Facebook

Tabelat në veri, sot pritet takimi Kurti - Mlladenoviq

Të martën zhvillohet takimi në mes Komisionerit për Gjuhë, Slavisha Mlladenoviq dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti, të cilët do të diskutojnë për shkrimin në tabela të emrave të vendbanimeve në veri të Kosovës.

Me iniciativë të Ministrisë së Infrastrukturës më 14.03.2024 ka filluar zëvendësimi i këtyre tabelave në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

Këtë takim Mlladenoviq e kishte kërkuar pasi kishin kuptuar përmes mediave se ka filluar zëvendësimi i këtyre tabelave, në të cilat sipas tij, renditja e gjuhëve është gabim, sipas tij duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Kurse, më 15.03.2024 Mlladenoviq deklaroi për KALLXO.com se Ministria e Infrastrukturës nuk është konsultuar me të për shkrimin e emrave të vendbanimeve në këto tabela.

Ai kishte paralajmëruar se do të kërkojnë takim edhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, mirëpo ende nuk e kanë kërkuar.

Sipas Mlladenoviq, këtë takim do ta kërkojnë pasi t’i përfundojnë rekomandimet e tyre për këtë çështje, si Zyrë e Komisionerit për Gjuhë.

“Ende s’kemi çu mendimin tek Ministria, kjo është në procedurë, zhvillohet një kohë s’po di saktë sa, sepse nuk kemi as zyrtarin ligjor për momentin në zyre. Na mungon stafi, po besoj që shpejt do të nxjerrim një mendim edhe do zgjidhet ky problem”- ka thënë Mlladenoviq për KALLXO.com, më 18.03.2024.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me moskonsultimin me Mlladenoviqin dhe për tabelat, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Duke iu referuar nenit 59, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, Mlladenoviq ka theksuar se si parashihet renditja e emrave në këto tabela.

Neni 59 flet për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, në paragrafin 9 thuhet “të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse”.

Ndërkaq, sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në nenin 9 paragrafi 2 thuhet “Shenjat zyrtare që shënojnë apo përfshijnë emrat e komunave, fshatrave, rrugëve, rrugicave dhe të vendeve të tjera publike, paraqiten në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët e komuniteteve, gjuha e të cilave ka statusin e gjuhës zyrtare në komunë, në pajtueshmëri me nenin 2.3”.

“Në komunat e banuara nga një bashkësi, gjuha amtare e të cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe e cila përbën së paku 5 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj komune, gjuha e asaj 2 bashkësie do të ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe do përdoret barabartë me gjuhët zyrtare. Pavarësisht kësaj që u tha më lartë, në mënyrë të veçantë, në komunën e Prizrenit gjuha Turke do të ketë statusin e gjuhës zyrtare” – thuhet në nenin 2.3

Në anën tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog u ka bërë thirrje autoriteteve që procesi i zëvendësimit të tabelave të zbatohet pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhës.

Po ashtu, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka mbështetur Komisionerin për Gjuhë në lidhje me këtë çështje, duke konsideruar se hapat e zëvendësimit të këtyre tabelave duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e Komisonierit për Gjuhë.

KALLXO.com ka raportuar se tabelat që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht, të cilat u vendosën më 14.03.2024 në Leposaviq janë përshkëllyer me ngjyrë gjatë natës, emrat në shqip.