Lista e gjatë e përballjeve me drejtësinë e Xhabir Zharkut para se të futet në “Listën e zezë“ të SHBA-së

Xhabir Zharku është futur në “Listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit, “gjatë detyrës së tij zyrtare si kryetar i Komunës, Zharku u përfshi në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”.

Po, për çfarë është gjykuar në të kaluarën Xhabir Zharku?

Në nëntor të vitit 2023, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt për të liruar nga akuzat Xhabir Zharkun, i cili akuzohej për shpërdorim të pozitës dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Gjykata e Ferizajt kishte refuzuar aktakuzën për korrupsion për shkak se lënda paraprakisht ishte parashkruar.

Xhabir Zharku kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020, kur ishte liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, kishte shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

I njëjti kishte vepruar në atë mënyrë që kishte lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në një pronë e cila ka qenë pronë e Komunës dhe të njëjtën ia kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje në pikën dy të aktakuzës ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështjeje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Xhabir Zharku nga posti i kryetarit të Kaçanikut kishte dhënë dorëheqje në vitin 2012, tri ditë pasi Gjykata Supreme e pati konfirmuar dënimin e tij për veprën penale – detyrimi.

Në tekstin e dorëheqjes, të botuar edhe në ueb faqen zyrtare të Komunës së Kaçanikut, Zharku kishte thënë se gjatë mandatit “për asnjë moment nuk kam bërë asnjë veprim kundërligjor dhe që dëmton qytetarët, por tërë energjinë e kam shpenzuar për një jetë më të mirë për qytetarët e Kaçanikut”.

Ai theksonte se “kam qenë i pakompromis në luftimin e dukurive negative”.

Zharku ishte shprehur se u detyrua të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës dhe njëherësh edhe nga posti i kryetarit te degës së PDK-së në Kaçanik, jo nga dëshira “por nga vendimi i padrejtë dhe politik i EULEX-it, të cilët kanë përdor dhe keqpërdorur matrapazët dhe spekulantët Shefqet Luri, Xhelil dhe Azem Suma, të njohur në këto anë për gjëra të tilla”.

Zharku edhe më herët ka pasur probleme me drejtësinë.

Më 21.04.2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprës penale të zhvatjes dhe posedimit të paligjshëm të armës.

Ai ishte dënuar me tri vite burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro për akuzën e posedimit të paligjshëm të armës.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo, sipas aktakuzës, pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqen, për ta fituar atë Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Pas konfirmimit të vendimit ai ishte larguar nga Kosova dhe për gati pesë vjet e gjysmë kishte qëndruar në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të vitit 2018, Zharku u kthye në Kosovë pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Ferizajt, dega në Kaçanik, mori vendim për ndalimin e ekzekutimit të dënimit me burg, pasi lënda ndaj tij ishte parashkruar.

Më 26.06.2018, në ditën kur BIRN dhe Internews Kosova kishin organizuar konferencë rreth publikimit të raportit të monitorimit të gjykatave, atëherë ministri i Drejtësisë dhe bashkëpartiaku i Xhabir Zharkut, Abelard Tahiri, i ishte bashkuar vlerësimit të ambasadorit të atëhershëm britanik, Ruairi O’Connell dhe ambasadorit amerikan, Greg Delawie, të cilët kishin thënë se rasti i Zharkut është turpi i Kosovës.

Madje, Abelard Tahiri as nuk ia kishte përmendur emrin bashkëpartiakut të tij, i cili ishte kthyer i lirë në Kosovë nga Suedia.

“I bashkohem ambasadorit britanik, s’po mundem as emnin me ia përmend, personi që po i referoheni është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten” – kishte thënë Tahiri.

(Ky artikull është edituar më 18.03.2024, në ora 23:59, me ç’rast i janë shtuar tre paragrafët e fundit)