Jeta në Kosovë diskuton për Raportin e Progresit

Këtë të enjte, Jeta në Kosovë transmeton debat për Raportin e Progresit.

Si e vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike këtë raport? A ka progres apo regres në vendin tonë sipas këtij raporti? Në cilat fusha ka kritika më të mëdha? Sa po luftohet korrupsioni e sa krimi i organizuar? Çfarë thotë Raporti i Progresit për lirinë e shprehjes në Kosovë?

Për të diskutuar për këto çështje, Jeta Xharra ka ftuar:

Hajredin Kuqi, zëvendës kryeministër;

Vjosa Osmani, deputete nga LDK;

Ardian Gjini, deputet nga AAK, dhe

Visar Ymeri, deputet nga Vetëvendosje;

Para debatit, BIRN ritransmeton reportazhin e transmetuar në shtator të vitit të kaluar, me ç’rast ka treguar se qysh në Gjykatën Komunale në Klinë, ish gjyqtari Kolë Puka, bashkë me avokatin Lon Palushaj dhe në bashkëpunim me doktorin Mit’hat Jakupi kanë shpallur invalid një qytetar nga komuna e Klinës, dhe në emrin e tij kanë përfituar 16. 800 euro.

Këtë javë, të tre këta persona u arrestuan. Kurse, policia ka arritur të gjej edhe raste tjera, me ç’rast ka arrestuar 13 persona. Ky reportazh hulumtues në vitin 2010 është shpallur nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës reportazhi më i mirë televiziv për luftë kundër korrupsionit.

Gjatë debatit, BIRN transmeton reportazhin e gazetarit Muhamet Hajrullahu, i cili tregon se cilat janë qëndrimet e partive politike në Kuvend për Raportin e Progresit, çfarë janë qëndrimet e kryeministrit Hashim Thaçi e çfarë të kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.