Jeta në Kosovë interviston Bamir Topin dhe debaton për zhvillimet e fundit në vend

Sonte do të ndiqni intervistën me presidentin e Shqipërisë Bamir Topi, debatin për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike, reportazhin për ndikimet në sistemin gjyqësor, si dhe reportazhin tjetër që flet për standardet e dyfishta dhe praktikat e mbrapshta të punës që zbatohen në gjyqësorin e Kosovës, ndërsa kulmi i kësaj jave është Fuad Ramiqi.

Jeta Xharra ka intervistuar presidentin e Shqipërisë, Bamir Topin të cilin e ka pyetur për bashkëpunimin Shqipëri- Kosovë, si dhe për masat që duhet ndërmarrë për t’u forcuar lidhjet ekonomike, të arsimit e të komunikimit me Shqipërinë.

Pas intervistës, BIRN transmeton debatin parlamentar të realizuar nga Muhamet Hajrullahu për ngjarjet e fundit në politikë dhe ekonomi.

A do të kemi krizë buxhetore? Cilat do të jenë pasojat e mosmiratimit të buxhetit për vitin 2011? Si do të mënjanohen keqmenaxhimet e buxhetit? Çka thonë panelistët për pozitën e Kosovës ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit, sipas Transparency International?

Mysafirë të ftuar në studio për t’i diskutuar këto janë:

Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave
Mimoza Kusari – Lila, nga AKR
Besa Gaxherri, nga LDD
Haki Shatri, nga AAK

Në kuadër të debatit transmetohet reportazhi nga gazetarja Edona Musa, e cila ka pyetur ekonomistët se çfarë pasojash do të ketë shteti nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2011.

Hulumtuesi Genc Nimoni sjell reportazhin për zhvillimet e fundit në sistemin gjyqësor, si dhe flet për ndikimet e fundit në procesin e emërimeve dhe riemërimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa hulumtuesi Faton Ademi tregon se si zbatohen standardet e dyfishta dhe praktikat e mbrapshta të punës në gjyqësorin e Kosovës.
Në fund, rubrika Kulmi i Javës sjell Fuad Ramiqin, pjesëmarrës në kampionatin botëror të boullingut.