Flamuri i Koresë së Veriut

Koreja e Veriut thotë se ka testuar raketahedhës të rinj

Lideri i Koresë së Jugut, Kim Jong Un, ka mbikëqyrur stërvitje ushtarake, që përfshinin lëshimin e raketahedhësve “të rinj dhe super të mëdhenj”, raportoi media shtetërore më 19 mars, një ditë pasi Seuli tha se Pheniani kishte lëshuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë përfunduar një prej stërvitjeve më të mëdha të përbashkëta ushtarake javën e kaluar, stërvitje që nxitën zemërim në Veri, i cili kreu ushtrime ushtarake.

Koreja e Veriut ka dënuar të gjitha stërvitjet e kryera nga Uashingtoni dhe Seuli, të cilat i ka cilësuar si përgatitje për pushtim.

Ushtria e Seulit tha të hënën se kishte detektuar lëshimin e një “rakete balistike me rreze të mesme veprimi” nga Veriu, përderisa sekretari amerikan në Shtetit, Antony Blinken, qëndroi në kryeqytetin jugkorean për bisedime.

Raketahedhësi super i madh, i referuar me emrin KN-25 nga ushtria e Seulit dhe Uashingtonit, është një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, sipas agjencisë jugkoreane të lajmeve Yonhap.

Veriu pretendon se kjo armë është e aftë të pajiset me kokë taktike bërthamore.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë e Veriut tha se Kim ka vëzhguar stërvitjet ku u testuan “kapacitetet reale të luftës” të raketahedhësit prej 600 milimetrash, teksa ai potencoi rëndësinë e “përgatitjeve të luftës”.

Sipas Kimit, ky raketahedhës do t’i ndihmojë Veriut të “bllokojë dhe shtypë mundësinë e luftës me gatishmërinë e përsosur për të shkatërruar kryeqytetin e armikut”.

Pheniani gjatë këtij muaji ka paralajmëruar Seulin dhe Uashingtonin se do të paguanin “çmim të lartë” për stërvitjet e tyre ushtarake dhe më pas u njoftua se Kim kishte deklaruar se një njësi artilerie e shtetit të tij ishte e aftë të godiste kryeqytetin e Koresë së Jugut.

Javën e kaluar, Kim vëzhgoi stërvitjen e parashutistëve, ushtrime që kishim për synim të shfaqnin aftësinë e ushtarëve të Koresë së Veriut për të pushtuar “menjëherë një rajon armik”, raportoi media shtetërore.

Testimi i raketës balistike i së hënën ishte testimi i dytë gjatë këtij viti, teksa më herët gjatë vitit Veriu e ka shpallur Jugun “armikun kryesor” dhe shteti ka hequr dorë nga synimi për bashkimin e dy Koreve.

Uashingtoni, një aleat kyç i Seulit, ka të stacionuar afër 27.000 ushtarë amerikanë në Korenë e Jugut për t’i ndihmuar Seulit që të mbrohet nga Pheniani./REL