Jeta në Kosovë debaton për raportin e progresit
Sonte në emisionin Jeta në Kosovë përfaqësues politik të vendit diskutojnë për kritikat nga raporti i progresit për vitin 2010 nga Komisioni Evropian.
Para debatit, BIRN transmeton intervistën e gazetares Jeta Xharra me shefin e zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, i cili është pyetur për problemet kryesore që janë adresuar në raportin e progresit.
Ndërsa pas intervistës, gazetari Muhamet Hajrullahu ka ftuar në debat përfaqësues politik për të biseduar për fushat e prekura në raport të progresit si korrupsioni, krimi i organizuar dhe liria e shprehjes në Kosovë.
Cilat janë kritikat e raportit të fundit të Komisionit Evropian për Kosovën? Si vlerësohen këto kritika nga përfaqësuesit politik? Pse po përsëriten kritikat e njëjta edhe këtë vit? Pse mungon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin?
Për të biseduar për këto dhe çështje të tjera në lidhje me Raportin e Progresit mysafirë të Muhamet Hajrullahut në studio do të jenë:
Besim Beqaj, Ministër i Integrimeve Evropiane
Zylfije Hundozi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Besnik Bislimi, nga Lëvizja Vetëvendosje
Qëndrim Gashi, nga partia Fryma e Re
Në kuadër të debatit, BIRN transmeton reportazhin e gazetares Edona Musa e cila flet me përfaqësues nga shoqëria civile për vlerësimet e tyre për raportin e progresit.
Pas debatit, gazetari Alban Selimi sjell reportazhin që tregon për mjekët që paguhen nga kompanitë farmaceutike për t’i përshkruar barnat e tyre.