Hekuran Muratit i zvogëlohet vlera e letrave me vlerë në "Tesla" e i rritet në "Netflix"

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ndër vite ka deklaruar se posedon letra me vlerë në disa kompani ndërkombëtare.

“Tesla Inc”, “Allians SE”, “Volkswagen AG” dhe “Netflix Inc” janë kompanitë në të cilat ka letra me vlerë Murati.

Për letrat me vlerë në “Tesla Inc” që Murati i pati blerë në vitin 2014, më 2022 pati deklaruar se vlera e tyre ishte 48 mijë e 900 euro. Kjo vlerë u zvogëlua në deklarimin për vitin 2023 në 26 mijë e 115 euro teksa më 2024 u zvogëlua në 24 mijë e 663 euro.

Në vitin 2020, Murati kishte blerë letra me vlerë në “Netflix Inc”. Më 2022 pati deklaruar se vlera e tyre ishte 6 mijë e 900 euro. Kjo shifër në vitin 2023 ra në 6 mijë e 47 euro teksa më 2024, Muratit iu rrit vlera e letrave me vlerë në 11 mijë e 220 euro.

Në “Volkswagen” më 2022 Murati pati deklaruar se letrat e tij me vlerë vlerësoheshin me 4 mijë e 600 euro. Në vitin 2023 kjo vlerë ra në 3 mijë e 39 euro e tash më 2024 Murati deklaroi që vlera e tyre është 2 mijë e 832 euro.

“Allianz SE” është kompania tjetër e deklaruar nga Hekuran Murati se ka letra me vlerë. Më 2022 pati deklaruar se vlera e tyre ishte 4 mijë e 300 euro, më 2023 deklaroi 4 mijë e 123 euro e në vitin 2024 kjo shifër u rrit në 5 mijë e 556 euro.

Në vitin 2022 Murati pati deklaruar se letrat me vlerë për tri kompani (“Tesla Inc”, “Allians SE”, “Volkswagen AG”) i ka pranuar më 01.01.2014, teksa një vit më pas këto data ndërruan në 12.08.2014, 12.06.2014 dhe 29.04.2014 respektivisht.

Ngjashëm ndodhi edhe me datën e pranimit të letrave me vlerë nga “Netflix”. Më 2022 deklaroi se letrat i pranoi më 01.01.2020 kurse një vit më vonë deklaroi se ato i pranoi më 08.12.2020.

Murati në deklarimin e vitit 2024 ka deklaruar se posedon një banesë me sipërfaqe 41 metra katrorë në vlerë 38 mijë euro si dhe tokë 1 mijë e 716 metra katrorë në vlerë 23 mijë eurove.

Ministri i Financave ka deklaruar se ka aksione në dy shoqëri tregtare, “Superprona” dhe “99 ngjyra” me 50% të aksioneve që vlerën e kanë 0 euro.

Para në bankë Murati ka deklaruar se ka 19 mijë e 400 euro në një bankë kurse në një tjetër ka 1 mijë e 820 euro.

Hekuran Murati ka deklaruar se pagë vjetore si ministër ka marrë 17 mijë e 43 euro si dhe mëditje në vlerë prej 1 mijë e 50 euro.

Dividendë gjatë vitit 2023 Murati mori në vlerë prej 576 euro, por nuk ka deklaruar se nga ishte burimi i tyre.

Linku për qasje në deklarimin e pasurisë së Hekuran Muratit.