Osmani takohet me institucionet e drejtësisë lidhur me çështjen e vrasjeve në bazë gjinore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim më 17.04.2024, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, lidhur me çështjen e vrasjeve në bazë gjinore.

Osmani ka pritur në takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, zëvendësin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Agron Qalaj, dhe Koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina.

Sipas një komunikate për media, Osmani ka ripërsëritur shqetësimin e thellë lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Kosovës.

“Gjithashtu, Presidentja Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike” – thuhet në komunikatë.

Osmani u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët shqiptojnë dënime dhe shpallin aktgjykime të cilat nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Kosovës dhe udhëzuesin për politikat ndëshkimore.

Në kumtesë u bë e ditur se, në përvjetorin e 25- të masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, presidentja Osmani i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht të merren në pyetje të mbijetuarit e këtyre masakrave në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat.

17.04.2024 u shpall ditë zie në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja, Vjosa Osmani mori këtë vendim të mërkurën pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve të fundit, njëra në Ferizaj e tjetra në Pejë.

Qyteti i Pejës u trondit, më 16.04.2024, nga vrasja e një gruaje, nga i dyshuari- burri i saj, i cili është arrestuar nga Policia. Krimi dyshohet se u krye në banesën e çiftit në Pejë.

Ndërsa të premten, më 12.04.2024 një 36-vjeçar, Valon Aliu, vrau ish bashkëshorten e tij, Erona Cokli, 21-vjeçare, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.