Opozitarët e vlerësojnë shqetësues raportin e DASH-it, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili ka evidentuar probleme në pavarësinë e gjyqësorit si dhe kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, po shihet si shqetësues nga forcat opozitare në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ky raport në fakt është konfirmim i shqetësimeve të ngritura në vazhdimësi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se “vetëmashtrimi i Qeverisë” me tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë janë gënjeshtra që Qeveria ka filluar t’u besoj.

Ndërsa anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, deputetja Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se për të parë gjendjen në të cilën e ka sjell vendin Qeveria Kurti, flet më së miri ky raport amerikan.

LDK në reagimin e tyre në Facebook thonë se raporti i fundit i DASH-it për Kosovën ka treguar “korrupsionin serioz të Qeverisë”.

Kjo parti thotë se në vazhdimësi, publikisht ka denoncuar dyshimet për korrupsion nga Qeveria “duke përfshirë edhe qindra tenderë sekretë që kjo qeveri ka nënshkruar, në vlerë prej mbi 240 milionë euro”.

“Pra ka propagandë dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit siç pretendon Qeveria e Kosovës, gjë të cilën e vërtetoi dhe raporti DASH-it”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Partia e tretë në vend sa i përket elektoratit të vitit 2021 ka ftuar Prokurorinë që të i trajtoj shqetësimet e ngritura deri tani dhe të zbatoj ligjin pa pengesë.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj në anën tjetër thotë se raporti i DASH-it është “goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit”, duke aluduar në mashtrime prej Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti i Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se ky raport nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime tjera, siç janë qindra kontrata njëburimore me vlerë qindra miliona euro.

Haradinaj ka kërkuar vetëreflektimin e Qeverisë, rrjedhimisht dorëheqjen e saj.

E, Deliu-Kodra e PDK-së thotë se raporti ka shpërfaqur paaftësinë e Qeverisë për të ndërtuar institucione të pakorruptuara dhe kredibile.

Sipas saj, raporti i DASH-it flet për korrupsion serioz qeveritar dhe mosndëshkim të zyrtarëve qeveritar.

Ajo ka përmendur edhe problemet me pavarësinë e gjyqësorit e “kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave”, dhunën me bazë gjinore e dhunën ndaj pakicave etnike.

Deliu-Kodra thotë që raportet për Kosovën po vazhdojnë të përkeqësohen dhe se kjo po ndodh në “një Qeveri në të cilën politikanët tentojnë të frikësojnë mediat”.

Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.

Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Në raportet e kaluara është përmendur edhe korrupsioni qeveritar dhe kërcënimi për dhunë që shënjestron minoritete etnike dhe komunitetet e margjinalizuara.

DASH: Problemet me pavarësi të gjyqësorit dhe kufizimet në liri të mediave, ndër shqetësimet kryesore për Kosovën