Presidentja Osmani i quan “post-traumatike” deklaratat e Vuçiqit në KS të OKB-së

“Posttraumatike” i ka quajtur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 22.04.2024.

“Ai [Vuçiqi] ka bërë një sërë deklaratash posttraumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne është e thjesht: e kemi thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, para syve të botës. Dhe, të vërtetën nuk do të mundet askush ta sulmojë e as ta mohojë, e as Serbia. Kështu që, gjërat që i kam thënë unë atë ditë në seancë janë të gjitha të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare” – tha Osmani para gazetarëve, më 26.04.2024.

Presidenti serb ishte revoltuar nga delegacioni i Kosovës në Këshill të Sigurimit, pjesë e të cilit ishin Elhame Muçolli, Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri.

Vuçiq kishte thënë se ato nuk e kanë vendin aty dhe kishte pyetur pse nuk janë informuar se kush do të ishte pjesë e secilit delegacion.

“Keni sjellë persona që nuk e kanë vendin këtu … Është pak a shumë një teatër politik dhe një kurth për delegacionin serb … Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit delegacion? A besoni me të vërtetë se nuk ka pasur të përdhunuara gra serbe në Kosovë në atë periudhë?”- ishte deklarata e Vuçiqit.

Kryesuesja e seancës para se t’ia kalonte Osmanit fjalën, tha se ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara.

“Në lidhje me delegacionin e Kosovës, nuk kemi të bëjmë asgjë me të. Ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara, sikur që nuk i tregojmë emrat e delegacionit tënd që është akredituar këtu”- tha kryesuesja.

Ndërkaq në kundërpërgjigjen e saj, presidentja Osmani tha se katër gratë që janë ulur pas saj, përveç se janë avokuese të drejtësisë, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Dua të informoj anëtarët e këtij këshilli që përveç që janë avokuese të drejtësisë, katër gratë që po ulen pas meje janë gjithashtu pjesëtarë të kabinetit tim. Pra ato janë këtu si pjesë e ekipit të këshilltarëve, sepse ato punojnë kauza që janë shumë të rëndësishme për zemrën time siç është mbështetja për gratë që janë të mbijetuara të dhunës seksuale, por edhe mbështetëse të familjeve që kanë vuajtur nga lufta”- ka deklaruar Osmani.

Presidentja gjatë fjalimit të saj ka përmendur Masakrën e Poklekut, nga e cila ka mbijetuar Elhame Muqolli.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe Vasfije Krasniqin dhe Shyhrete Tahirin të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës.

Pjesë e fjalimit të Osmanit ishte edhe Fahrie Hoti nga Krusha, ku u vranë një numër i madh i burrave disa prej të cilëve mbesin të zhdukur, duke përfshirën edhe bashkëshortin e Fahrijes. Hoti gjithashtu është është themeluese e ndërmarrjes “Krusha”.