Naser Osmani e Rexhep Selimi Përplasen në Emisionin “Jeta në Kosovë”

Dështuan të debatojnë në Kuvend për të dytën herë rresht, por këtë e bënë pa problem në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Bllokim me p’LAN” ishte tema për të cilën debatuan dy deputetë të partive të koalicionit qeverisës dhe dy të tjerë nga partitë opozitare.

A ka ngërç në Parlament? Çka e krijoi bllokadën në institucionin më të lartë të shtetit? Cila është platforma e opozitës më aksionet e veta? Dhe a e ka ndërmend qeveria të tërhiqet në kërkesat e opozitës. Çka do të ndodhë tash e tutje.

Për këto, Muhamet Hajrullahu ka ftuar Elmi Reçicën nga PDK, Naser Osmanin (LDK), Rexhep Selimin (VV) dhe Pal Lekajn, (AAK).

“Kemi duruar edhe kur janë janë bërë shkelje në Kuvend. Ne e durojmë deri diku Isën (Mustafën), por nuk e durojmë ‘Zajednicën’. Ne e durojmë edhe Hashimin (Thaçin) deri diku, por nuk e durojmë ‘Zajednicën’. Do t’ua them i bindur: nuk do të ndalemi derisa ta ndalim ‘Zajednicën’”, tha në një moment të debatit Rexhep Selimi i Vetëvendosjes.

“Është alternativë e mirë. Qe ku është Mitrovica, qe ku është Zveçani. Shko Rexhë!”, i tha Naser Osmani deputetit të Vetëvendosjes gjatë debatit.

“Mos i thuaj shko opozitës, por çoje policinë. Unë di me shku në Mitrovicë, por unë kam luftuar që ta kem një shtet dhe shteti ta çojë policinë atje”, iu përgjigj Rexhep Selimi deputetit të LDK-së.

Jeta në Kosovë transmetohet sonte në RTK në orën 20:20 dhe repriza të premten në mesditë.