Pasojat Politike nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Ekspertët e analistët Fisnik Korenica, Bajrush Morina, Leonard Kerquki dhe Arben Ahmeti kanë dhënë pikëpamjet e tyre rreth zhvillimeve të kaluara dhe atyre të pritshme nga ky vendim i cili është pritur në mënyra të ndryshme në opinion.

Por për Fisnik Korenicën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike vendimi i djeshëm paraqet vetëm masë të përkohshme pezulluese dhe asgjë më shumë.

“Nuk ka pasur anulim të zgjedhjes së Mustafës si Kryetar të Kuvendit, por vetëm një akt që e ngrin këtë vendim. Masa pezulluese bëhet vetëm kryetarin e Kuvendit, por nuk e prek konstituimin e Kuvendit”, tha Korenica.

Sipas Leonard Kerqukit, kryeredaktor i Gazetës Express, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është jashtë praktikës së deritanishme të kësaj gjykate.

Kerquki përmendi rastin e mëhershëm të kësaj Gjykate e cila, sado që kishte në dorë fatin e Presidentit Behgjet Pacolli, nuk urdhëroi masë pezullimi të punës së tij në këtë post.

    “Kemi përpjekje të partisë në pushtet që me çdo kusht ta mbajë pushtetin”, tha Kërquki.

Ndërsa Arben Ahmeti nga Gazeta Tribuna tha se ecuria e seancës konstituive të Kuvendit më 17 korrik dëshmoi se blloku LDK- AAK- NISMA nuk i kanë menduar si duhet detajet.

Duke folur për pritjet nga vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, Fisnik Korenica u shpreh se në asnjë vend në botë nuk ka një kryetar Kuvendi që nuk i takon shumicës parlamentare që e formon qeverinë.

Por në rast se Gjykata merret edhe çështje teknike të seancës, ai thotë se “mund të ketë edhe përsëritje të procedurës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të vendosë çkadoqoftë për rastin të cilin është duke e shqyrtuar, por Leonard Kerquki nuk pret që ky vendim do të mund t’i japë fund ngërçit politik në Kosovë.

Ai madje ngreh dyshime edhe në vetë kredibilitetin e anëtarëve të këtij institucioni, vendimet e të cilës janë të painterpretueshme dhe duhet medoemos të zbatohen.

“Për çfarë kredibiliteti të Gjykatës mund të flasim kur nj anëtar i saj merr pjesë në tubime të PDK-së. Është problem se si një Gjykatë Kushtetuese ka pranuar të degradohet në mënyrë të tillë”, tha ai.

“Vetëm zgjedhjet mund ta pastrojnë këtë ndotje që është bërë pas ditës së zgjedhjeve”, u shpreh Kerquki.

Ndërsa, sipas Bajrush Morinës, zgjedhjet më së shumti do t’i konvenonin PDK-së.

“Zgjedhjet i konvenojnë më së shumti PDK-së sepse PDK do mjegull”, tha Morina.

Edhe Bajrush Morina, që në zgjedhjet e 8 qershorit garoi për ulëse deputeti nën siglën e LDK-së, kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vendimin e djeshëm për pezullim të postit të kryetarit të Kuvendit.

“Është vendim skandaloz sepse ka shtuar mjegullën. Vendimi i djeshëm është fuqizim i muskujve politikë të Gjykatës dhe Enver Hasanit”, tha Morina.

Por Fisnik Korenica përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Nuk është situata për zgjedhje të reja. Me dhënien e betimit të deputetëve, ne kemi Kuvend të konstituuar”, u shpreh ai.

Edhe Arben Ahmeti nuk dëshiron që kjo situatë të prodhojë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

“Nuk besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje vetëm pse Haradinaj ka dëshirë të bëhet Kryeministër e Thaçi dëshiron ta mbajë pushtetin”, tha Ahmeti.

Janë dy procese të rëndësishme të cilat Kosova po i pret pa formuar institucionet qendrore.

Javën e ardhshme pritet publikimi i raportit të prokurorit Clint Williamson për dyshimet e Këshillit të Evropës se UÇK ka kryer trafikim organesh, ndërsa sot është publikuar raporti i Komisionit Evropian me të cilin Kosova nuk mundi të marrë një datë për liberalizim të vizave.

Raportimet paraprake thonë se raporti i prokurorit amerikan do të tregojë se UÇK nuk ka bërë trafikime organesh, ndërsa pritet të ketë aktakuza për krime të tjera të luftës.

Por kjo për Leonard Kerqukin nuk përbën ndonjë lehtësim për Kosovën.

“Akuzat për krime lufte janë po aq të tmerrshme sa edhe ato për trafikim organesh”, tha ai.

Për Bajrush Morinën, liberalizimi i vizave është më i rëndësishëm se raporti i Task Forcës Speciale të Williamsonit.

“Procesi i liberalizimit të vizave i burgos krejt kosovarët ndërsa raporti i Williamson i burgos disa figura politike”, tha ai.

Ndërsa për mosliberalizimin e vizave, Korenica kërkoi që dikush të mbahet përgjegjës në Prishtinë.

“Raporti i Komisionit Evropian për vizat e vërteton që qeveria ka dështuar ta menaxhojë reformën e rendit publik dhe sundim të ligjit. Kjo nuk duhet të kalojë pa dhënë përgjegjësi”, u shpreh Korenica.

Sipas tij, Kosovës i mungon “vullnet të hekurt politik” i cili kërkohet nga Komisioni Evropian për t’i bërë reformat e duhura.

Emisioni i plotë “Jeta në Kosovë” transmetohet sonte (e enjte) në RTK në orën 20:20.