Presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu | Foto: Prindon Sadriu/Facebook

Afër 1 milion euro pasuria e paluajtshme e presidentes dhe bashkëshortit të saj

Afër 1 milion euro pasuri të paluajtshme ka deklaruar presidentja e shtetit Vjosa Osmani nën pronësi të përbashkët me bashkëshortin dhe të bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Vjosa Osmani ka deklaruar se gjatë vitit 2023, bashkëshorti i saj ka blerë një ‘banim në varg’ me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Saktësisht, ‘banim në varg’ me 218 metra katror kushtoi 510 mijë euro.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, Osmani ka shkruar se të hyrat për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme janë marrë nga shitja e shtëpisë në Australi që ka qenë në pronësi të bashkëshortit të saj, nga shtëpia e shtëpisë së bashkëshorti, nga kursimet dhe huat familjare.

Kjo nuk është ‘banimi në varg’ i vetmi që posedon familja e presidentes Osmani.

Në 2019 ata kishin blerë po ashtu ‘banim në varg’ me 244 metra katror, të cilët e kanë vlerësuar 190 mijë euro. Kjo pasuri figuron si e përbashkët.

Presidentja Osmani posedon edhe 5.1 ari tokë të blerë në vitin 2016, si pronë e përbashkët me vlerë 35 mijë euro.

Po ashtu figuron edhe një shtëpi e ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi që ka vlerën e 170 mijë euro e që është në pronësi të bashkëshortit të presidentes.

Prindon Sadriu posedon edhe një banesë 67 metra katror, të blerë në vitin 2011 që ka shifrën e 59 mijë e 760 euro.

Po ashtu, edhe një garazhe e blerë po në 2011 me vlerë 6 mijë euro, që është në pronësi të bashkëshortit të presidentes.

Vjosa Osmani ka deklaruar se në momentin e plotësimit të formularit në bankë posedonte 1 mijë e 77 euro që kishin prejardhjen nga paga dhe mëditjet si presidente.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu kishte deklaruar rreth 91 euro në dy banka, përfshirë edhe 266 dollarë australian.

Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj posedojnë mbi 100 mijë euro borxh. 40 mijë euro i kanë deklaruar borxh të mbetur si këste të papaguara ndaj Marigona Hill dhe punëve të shtesa nga disa kompani për shtëpinë në këtë lagje.

Po ashtu edhe 65 mijë euro borxh për huamarrjen për pagesën e banimit në varg në Mëelbourne.

Vjosa Osmani ka deklaruar se paga vjetore e saj është 33 mijë e 70 euro, pa përfshirë edhe mëditjes për udhëtimet zyrtare jashtë vendit.

Ndërsa paga vjetore e Prindon Sadriut është 17 mijë e 173 euro. AI merr edhe 12 mijë euro në vit nga qiraja në Australi.

Deklarimin e pasurisë mund ta gjeni këtu.