Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Cilat janë ndryshimet në dënime me Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor?

Në muaji prill të këtij viti do të fillojë të zbatohet Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor pasi Ligji është votuar në Parlament dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024.

Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm disa prej veprimeve të vozitësve që pritet të dënohen shumë më ashpër sesa me Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor.

Sipas Ligjit të ri, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 19.03.2024 dhe hyn në fuqi më 03.04.2024, parashihet që dënimi me gjobë për personat që nuk vënë rripin e sigurisë të jetë 150 euro. Mosvënia e rripit të sigurisë me Ligjin e kaluar dënohej me 40 euro gjobë.

Gjatë vozitjes nuk lejohet përdorimi i telefonit. Këtë e ka paraparë Ligji për rregullat e trafikut rrugor. Nëse një person përdor telefonin gjatë vozitjes i njëjti do të dënohet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative.

Nëse veprimi i njëjti i përdorimit të telefonit përsëritet për herë të dytë, ngasësi i veturës do të dënohet me 200 euro gjobë dhe me shqiptimin e dy pikëve negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj.

Ndërsa nëse për më shumë se dy herë vozitësi ka përdorur telefonin do të dënohet me gjobë në shumën 500 euro, do t’i shqiptohen tri pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

40 euro dënim me gjobë është ajo çfarë kishte paraparë Ligji aktual për vozitësit që kapen duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.

Ligjvënësi ka paraparë që të ashpërsojë dënimin edhe ndaj këmbësorëve që në vendkalimin për këmbësorë përdorin telefonin apo dëgjuese me të cilat do të mund të humbnin koncentrimin.

Ligji i ri ka paraparë dënimin deri në 50 euro gjobë kurse Ligji i vjetër (aktual) këtë veprim të këmbësorit e kishte konsideruar si kundërvajtje, e cila dënohej me 40 euro gjobë.

Tutje, Ligji i ri parasheh dënime me të ashpra për vozitësit të cilët nuk e respektojnë shpejtësinë e rekomanduar.

Kështu nëse një vozitës jashtë zonës së banimit, pra në autostradë dhe në magjistrale, vozit me mbi 100km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, ai do të dënohet me 500 euro gjobë, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe 6 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit.

Ndërsa Ligji i vjetër, për tejkalimin e shpejtësisë jashtë zonës urbane, kishte paraparë dënimin prej 200-600 euro gjobë, nëse tejkalimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar. Krahas gjobës, nëse është tejkaluar shpejtësia ishte paraparë shqiptimi i 3 pikëve negative dhe 3 muaj do t’i ndalohej vozitja e automjetit.

Ligji i ri ka paraparë dënime më të ashpra edhe nëse vozitësit bëjnë gara jashtë vendbanimeve apo brenda vendbanimeve.

Kushdo që bën gara jashtë vendbanimit do të dënohet me Ligjin e ri me 400 euro gjobë, shqiptimin e katër pikëve negative dhe 10 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit. Kurse nëse garat bëhen brenda vendit ku ka banim, dënimi do të jetë më i ashpër prej 500 eurove dënim me gjobë, shqiptimin e pesë pikëve negative dhe 12 muaj do t’i ndalohet personit që të vozitë automjetin.

Ligji i vjetër nuk kishte bërë diferencimin për garat që zhvillohen brenda apo jashtë vendbanimit. Si dënim për këdo që bën gara, më Ligjin e vjetër ishte paraparë dënimi me gjobë prej 100-300 euro.

Tutje, Ligji i ri ia ndalon vozitësit të automjetit të mbajë në prehër dikë tjetër, duke përfshirë këtu edhe fëmijët, gjë të cilën nuk e kishte specifikuar Ligji i vjetër (aktual).

Ligji i ri ka paraparë dënimin me gjobë prej 400 euro, shqiptimin e 5 pikëve negative dhe ndalim të vozitjes së automjetit për 6 muaj nëse mban në prehër dikë tjetër.

Kushdo që ka pasur të vendosur folie apo ndonjë material tjetër me të cilin do t’i ndihmonte në errësimin e xhamave të veturës me Ligjin e vjetër ishte dënuar me 60 euro dënim me gjobë. Ligji i ri nuk ka specifikuar asnjë nen apo paragraf me të cilën do ta rregullonte këtë veprim të shoferit.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ligji i ri ka paraparë dënime edhe për vozitësit të cilët bëjnë tejkalime në vijë të plotë. Gjoba për këtë veprim do të jetë 200 euro, shqiptimi i 2 pikëve negative dhe 3 muaj ndalim të drejtimit të automjetit.

Ligji i vjetër kishte paraparë dënimin me gjobë nga 100-300 euro, 3-6 muaj ndalim të vozitjes dhe 2 pikë negative.

Ajo çka konsiderohet risi në këtë Ligj është përcaktimi i rregullave për vozitësit e trotineteve elektrike.

Personat nën moshën 16-vjeçare nuk kanë të drejtë të ngasin trotinet. Nëse një gjë e tillë ndodh qiradhënësi do të dënohet me gjobë në shumën prej 500 euro, prindi dhe kujdestari i fëmijëve do të dënohen me gjobë në shumën prej 1 mijë euro.

Tutje Ligji ka ndaluar që në trotinet të jenë dy persona njëkohësisht. Nëse një gjë e tillë ndodh, ngasësi do të dënohet me 100 euro dënim me gjobë dhe me konfiskim të mjetit prej tre muajsh.

Sipas Ligjit maksimumi i shpejtësisë që do të zhvillojë një trotinet do të jetë 25 km/h. Nëse kjo shpejtësi tejkalohet gjoba do të jetë 150 euro për mosrespektimin e shpejtësisë dhe mjeti do të konfiskohet për 3 muaj.