Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Freedom House vlerëson pjesëmarrjen e Kurtit në Paradën e Krenarisë, por jo edhe qëndrimin e bashkëpartiakëve të tij për Kodin Civil

Raporti i organizatës ndërkombëtare Freedom House për nivelin e demokracisë ka shpërfaqur disa nga përparimet dhe ngecjet e Kosovës në fushën e të drejtave të njeriut. Ndër to, një paragraf i veçantë i është kushtuar zvarritjes së miratimit të Kodit Civil dhe Projektligjit për fertilizim. Ndërsa, si përparim është vlerësuar pjesëmarrja e politikanëve në organizimin e Paradës së Krenarisë dhe hapësira mediatike që i është ofruar personave transgjinorë.

Në raport thuhet që aktivistët mbeten të pakënaqur me dështimin e ligjvënësve, veçanërisht atyre “që i përkasin shumicës së Vetëvendosjes, për të shtyrë përpara Kodin Civil lidhur me barazinë martesore dhe çështje të tjera të të drejtave”.

16 mars të vitit 2022, Projekt Kodi Civil nuk e mori mbështetjen në parim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mospajtime dhe debate të ashpra përcollën leximin e parë, përderisa të gjitha kritikat lidheshin me nenin 1138 që përcaktonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë. Seancat e rregullta të Kuvendit zakonisht zhvillohen të enjteve, mirëpo në asnjë të enjte të vitit 2023, Projekt Kodi nuk u dërgua para ligjvënësve apo edhe në Qeveri.

Megjithëse në listën e projektligjeve që Ministria e Drejtësisë kishte planifikuar t’i miratonte me prioritet në vitin 2023 ishte edhe Kodi Civil, ai nuk është miratuar ende.

Në këtë rrjedhë, në raport është përmendur edhe debati i vazhdueshëm për aksesin në fertilizimin in vitro dhe procedurat e tjera të fertilitetit për të gjitha gratë, duke përfshirë gratë beqare dhe ato në marrëdhënie të të njëjtit seks.

Aty thuhet që projekligji për shëndetin riprodhues u diskutua katër herë në Kuvend përpara se të kalonte në lexim të parë në tetor 2023, por ende nuk është miratuar përfundimisht.

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fekondimin artificial, dështoi të miratohej në parlamentin e Kosovës duke ngjallur shumë debate për shkak të mospajtimeve rreth disa neneve që u mundësojnë individëve, dhe jo domosdoshmërisht vetëm çifteve burrë e grua, të kenë fëmijë përmes metodës së njohur në shkallë të gjerë si IVF.

Kurse për Paradën vjetore të Krenarisë LGBT+ në Prishtinë, që u mbajt në qershor 2023, në raport thuhet se ka kaluar pa incidente për të gjashtin vit radhazi, “duke reflektuar dukshmërinë në rritje të komunitetit LGBT+, pjesërisht e lehtësuar nga organizatat e shoqërisë civile”.

Në raport është vlerësuar pjesëmarrja e politikanëve të nivelit të lartë në paradë “duke demonstruar mbështetjen e tyre për kauzën”.

Bashkë me personalitete të tjera politike, përfaqësues të organizatave civile, aktivistë për të drejtat e njeriut e qytetarë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte marshuar në rreshtin e parë në Paradën e Krenarisë të mbajtur më 10.06.2023 në Prishtinë.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në parlament” – kishte thënë Kurti.

Ndër të tjera, në raport vlerësohet që shfaqjet e rregullta (drag shows), disa në bashkëpunim me aktivistë serbë, kontribuojnë në dukshmërinë e komunitetit LGBT+. Në edicionin e fundit të versionit kosovar të reality show-t ‘Big Brother’, një grua transgjinore konkurroi dhe ka marrë mbështetje të konsiderueshme, duke shënuar një ndryshim pozitiv në perceptimin e publikut. 

“Pavarësisht këtyre përparimeve, emancipimi i plotë nuk është arritur”- shkruan në raport.

Në vlerësimin për vitin 2023, prej 1 deri në 7 pikë, ku 1-shi paraqet nivelin më të ulët të përparimit demokratik dhe 7-ta më të lartin, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.