Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca: Rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen për zgjedhje dhe nuk arrihet të ndodh kjo gjë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar në mënyrë të veçantë për datën e zgjedhjeve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 29.03.2024, ai tha se është rast i rrallë kur të gjitha partitë janë të gatshme për zgjedhje, por megjithatë nuk shkojnë në zgjedhje.

“Me sa kam njohuri nuk ka ndodhë ndonjë takim i rëndësishëm për datën e zgjedhjeve. E vetmja ndërhyrje kur qeveria ka reaguar për zgjedhje është qëndrimi i shprehur publikisht i kryeministrit se është i gatshëm t’i ndihmojë opozitës për me shku në zgjedhje” – tha Konjufca.

Si kryetar i Kuvendit, ai tha se e pengon mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës.

“Mazhoranca e ka shumicën e cila mund të votojë projektligje, por më pengon që Kuvendi që disa muaj e ka humb kapacitetin me miratu marrëveshje ndërkombëtare” – u shpreh Konjufca.

Duke e cilësuar si dëm të madh që po i bëhet vendit me këtë veprim, ai tha se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë me librezë partiake, por janë përfitim për popullin.

“Kur ke donacione që po ofrohen dhe nuk e ki opozitën e gatshme me i mbështet ato, kjo e qet keq dhe e dëmton shtetin e Kosovës. Sepse portretizohet si shtet që nuk ka kapacitet me hy në marrëdhënie ndërkombëtare, me lidh marrëveshje serioze me shtete” – theksoi ai.

Glauk Konjufca, 4 ditë më parë, më 25.03.2024 është deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Ai ka përsëritur qëndrimin e Kryeministrit, Albin Kurti që partia në pushtet është e gatshme për zgjedhje.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK, kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thënë se do të marrë hapa konkret për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.