Mungojnë dëshmitarët - shtyhet seanca gjyqësore për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Është shtyrë seanca gjyqësore e datës 23.04.2024 ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Në seancë munguan dëshmitarët Faton Gashi dhe Agim Hoti.

Gashi e Hoti sipas gjyqtares Medie Bytyçi nuk e kanë pranuar ftesën për shkak të adresës së pasaktë por e kanë konfirmuar pjesëmarrjen përmes telefonit, ajo kërkoi që në seancën e radhës ata të sillen me shoqërim.

Seanca u shty për datat 8 dhe 9 korrik 2024.

Biznesmeni Bedri Rexhepi ishte zhdukur që nga 8 prilli vitit 2021 dhe mbetjet e tij ishin zbuluar të dekompozuara në shtator të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK