Guvernatori i BQK-së takohet me zyrtarë të Bankës Botërore, diskutohet për lehtësimin e pagesave të shpejta

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, sot mw 18.04.2024 është takuar me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, përfshirë drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore, Xiaoqing Yu.

Në këtë takim, sipas njoftimit të BQK-së, është diskutuar për përmbylljen e kornizës rregullatore dhe nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave, për të lehtësuar pagesat e shpejta vendore dhe ndërkufitare.

“Për më tepër, diskutimet specifike ishin rreth përgatitjeve për aplikimin e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe potencialit për avancime drejt integrimit me Sistemin Target të Pagesave të Shpejta e (TIPS) të Euro-Sistemit” – bëhet e ditur në njoftim.

Po ashtu, BQK ka njoftuar se guvernatori Ismaili ka marrë pjesë në një aktivitet të Bankës Botërore të titulluar “Zhbllokimi i fuqisë së Pagesave Ndërkufitare”.

“Gjatë diskutimit, i pari i BQK-së theksoi përkushtimin e Kosovës për arritjen e objektivit të G20-së për uljen e kostove të dërgimit të remitancave. Ai diskutoi përpjekjet e integrimit në SEPA që synojnë standardizimin e kornizave ligjore dhe rregullatore për të ofruar pagesa më të shpejta, më të lehta dhe me kosto më efektive”.