PDK thirrje deputetëve të votojnë për themelimin e Komisionit Hetimor për kontratat një burimore

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për themelimin e një Komisoni Hetimor për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë arsyetimit për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, tha se do të donte që prezentë të ishin edhe ministrat që sipas tij janë nënshkruesit më të mëdhenjë të kontratave një burimore.

“Në hulumtimin që e kemi bërë si grup parlamentar i PDK-së, janë për dy vite rreth 220 kontrata një burimore në vlerë totale 153 milionë euro, mirëpo kemi pa që edhe grupet tjera parlamentare kanë bë hulumtim edhe më të gjerë dhe vlera e këtyre kontratave shkon deri në 200 milionë euro”- u shpreh Tahiri më 28.03.2024.

Deputeti i PDK-së tha se komisioni hetimor duhet të nxjerr një raport përfundimtar për të parë se sa janë të arsyeshme këto kontrata.

“Ne si deputet duhet ta nxjerrim dhe të vijmë në një përfundim, me një raport përfundimtar, duhet ta kanalizojmë këtë çështje drejt prokurorisë, duhet ta shohim se sa janë të arsyeshme këto kontrata. Është shumë e rëndësishme që sot si deputetë së bashku, që të vijmë në një përfundim që ky Komision hetimor të themelohet dhe të bëjë hetimin parlamentar në të gjitha ministritë dhe ndërmarrjet publike ku janë këto kontrata një burimore”- deklaroi Tahiri.

“Unë sot i bëj thirre Prokurorisë, prej këtu me pa qysh është e mundur që një kompani se qysh është e mundshme që 22 milionë euro me e furnizu listën esenciale me barna dhe 18 milionë euro me materiale tjera konsumi? I bëj thirrje Prokurorisë që të fillojë një hetim dhe të shohim se a është normale kjo apo a është abuzim i skajshëm”- shtoi ai.

Tahiri theksoi se hetimi parlamentar është shumë i rëndësishëm teksa u ka bërë thirrje deputetëve të votojnë pro themelimit të komisionit.

“Hetimi parlamentar është shumë i rëndësishëm, ju bëjë thirrje që ta votojmë dhe të mos neglizhojmë më tutje këtë çështje, mendoj se është në interesin e Kosovës, në interesin e qytetarëve dhe nuk duhet të lejojmë të ndodhë një precedent i rrezikshëm”- tha Tahiri.

Kyvendi i Kosovës po zhvillon një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.