Selia e ASHSH-së. Foto: Facebook/ASHSH.

Në Tiranë po mbahet Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor

Edicioni i tretë i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor është hapur të martën, më 23.04.2024 në Ditën e Librit, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) në Tiranë.

Ky panair organizohet në bashkëpunim mes ASHSH, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë.

Përveç, dy akademive, botimet e tyre në këtë panair i kanë ekspozuar edhe institucione shkencore, universitare, por edhe botues jopublikë.

Gjatë dy ditëve të para institucionet akademike e botuese kanë promovuar botimet e tyre më të reja.

Qëllimi i këtij panairi është promovimi dhe prezantimi i botimeve shkencore të institucioneve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Qëllimi ynë është që botimet shkencore, përmes panairit, të marrin atë vëmendje të kursyer, plotësisht të merituar, që, për shkak të natyrës së tyre, nuk e marrin dot gjatë gjithë vitit. Botimet akademike e shkencore nuk kanë lexues masiv, lexues popullor. Libri shkencor e tremb lexuesin me ngushtësinë disiplinare të problematikës e të formave të të shprehurit, e përzgjedh që në titull, përmes të cilit fton lexues selektiv”- ka thënë kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi, në hapje të panairit.

Në kuadër të këtij panairi, botimet e tyre i kanë ekspozuar edhe AKSHAK, Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik i Kosovës.

ASHAK gjatë ditës së sotme ka promovuar botimet “Proceset dhe ciklet termodinamike” të Fejzullah Krasniqit dhe Naser Sahitit; “Proceset konvencionale membranore dhe të integruara (parimet dhe zbatimi)” të Salih Gashit, ndërsa Instituti Albanologjik ka promovuar studimin “Fjalor toponamistik i Kosovës” me autor Qemal Murati.

Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë promovoi veprat “Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941-1945” të Haxhi Ademit dhe “Çështja e shqiptarëve në Jugosllavi në sfondin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë 1918-1938” të Skender Lutfiu.

Panairi i tretë i Librit Akademik dhe Shkencor mbyllet nesër, më 25.04.2024, në Tiranë.