Hiqet kufizimi i orarit të barnatoreve në Prishtinë

Kuvendi Komunal i Prishtinës me propozim të grupit të PDK-së, ka anuluar përkohësisht propozim ndryshimin e rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të barnatoreve, duke e kthyer në fuqi rregulloren e vitit 2010.

Me 40 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u vendos që orari i barnatoreve të jetë nga ora 07:00 deri 22:00.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se prapë do të ketë barnatore kujdestare, por sipas tij, nuk dihet ende se si do të funksionojnë.

Pas kësaj, PDK Prishtinë kërkon që kjo rregullore të kthehet në debat publik dhe vendimmarrja lidhur me këtë çështje të kthehet tek qytetarët.

Kuvendi Komunal i Prishtinës sot, 24.04.2024, është duke mbajtur mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit.

Komuna e Prishtinës nga 23 tetor 2023 ka nisur aplikimin e rregullores për kujdestaritë e barnatoreve.

Më rregulloren e re e cila ishte miratuar në shtator 2023 në Kuvendin Komunal të Kryeqytetit, orari i punës për barnatoret e hënë deri të shtunën është nga  07:00 deri 21:00.  Derisa, çdo natë prej të hënës deri të Shtunën, prej orës 21:00 deri në mëngjesin e ardhshëm 07:00 punojnë 5 barnatore kujdestare.

Të dielave dhe gjatë festave në Prishtinë punojnë 10 barnatore me orar 07:00 deri të nesërmen në ora 07:00 (24 orë kujdestari).

Sipas kësaj rregulloreje, dënimet për barnatoret që nuk e respektojnë orarin shkojnë nga 1 mijë deri në 3 mijë euro.

Por, ky vendim kishte ngjallur reagime nga qytetarët.

Ankesat për orarin e barnatoreve në kryeqytet, komuna miraton ndryshimet në rregullore