Në pjesën e nënvizuar me të kuqe Policia kishte lënë publike emrat e qytetarëve. Screenshot: Policia e Kosovës/Facebook/24.04.2024

Policia publikon të dhënat personale të qytetarëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi thotë se do ta trajtojë rastin

Një postim i datës 24.04.2024 i Policisë së Kosovës bëri që ky institucion të bëhet shkelës i ligjit.

Të dhënat personale të dy qytetarëve u bënë publike nga ana e Policisë, ndonëse pasi KALLXO.com i dërgoi pyetje këtij institucioni, këto të dhëna u larguan.

Në dy fotografi që u realizuan brenda automjeteve të veturave të patrullës inteligjente, që dëshmonin shkeljen e rregullave të trafikut nga dy qytetarë, u panë edhe emrat e mbiemrat e këtyre dy të fundit.

Policia nuk dha ndonjë përgjigje për KALLXO.com kur u pyet se pse u lejua të ndodhte një gjë e tillë.

E për këtë lëshim të Policisë është kontaktuar edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila ka thënë se do ta trajtojë këtë rast.

“Sipas fotografive që ju keni dërguar vërehet se është bërë publikim i të dhënave personale dhe këtë çështje Agjencia do ta trajtoj me Policinë e Kosovës bazuar në mandatin ligjor të saj, përkatësisht Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” – tha për KALLXO.com AIP-ja.

E pyetur nëse i lejohet ky veprim Policisë së Kosovës, Agjencia tha se Policia në ushtrimin e kompetencave dhe autorizimeve ligjore përpunon të dhëna personale për qëllime legjitime në kryerjen e detyrave të saj në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës.

.

Në pjesën e nënvizuar me të kuqe Policia kishte lënë publike emrat e qytetarëve. Screenshot: Policia e Kosovës/Facebook/24.04.2024
Në pjesën e nënvizuar me të kuqe Policia kishte lënë publike emrat e qytetarëve. Screenshot: Policia e Kosovës/Facebook/24.04.2024

Ligji për Mbrojtjen e të dhënave personale përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit.

Përmes këtij Ligji përcaktohen përgjegjësitë e institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave dhe qasjes në dokumente publike.