Foto: Ministria e Punëve të Brendshme

Sveçla e Balla pajtohen që Policia e Kosovës t'i bashkohet Taskforcës së Përbashkët të Migracionit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij nga Shqipëria, Taulant Balla, janë pajtuar që Policia e Kosovës t’i bashkohet Taskforcës së Përbashkët të Migracionit.

Kështu është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga MPB-ja, më 29.03.2024.

MPB ka shpjeguar se ky bashkëpunim do të realizohet nëpërmjet koordinimit të autoriteteve ligj zbatuese të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Ministri Svela, në këtë takim, ka shprehur gatishmërinë e plotë të Republikës së Kosovës për të bashkuar forcat në Taskforcë të Përbashkët të Migracionit. Qëllimi i kësaj nisme është koordinimi i veprimeve në kontrollin e migracionit, ndërtimi i bazës së të dhënave dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta për të reduktuar lëvizjet e paligjshme dhe krimin e organizuar në këtë fushë” – thuhet në komunikatë.

Në takimin e përbashkët mbikëqyrës, përfaqësuesit e delegacioneve kanë prezantuar arritjet e deritanishme të Taskforcës dhe planifikimet për të ardhmen në luftën kundër kësaj veprimtarie ilegale.

Ministri Sveçla, siç thuhet në komunikatë, ka shprehur gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve të institucioneve të Kosovës me ato të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim.