S'ka marrëveshje për dinarin në Bruksel, Bislimi e cilëson takimin "të kotë"

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se në takimin e sotëm në Bruksel nuk është arritur ndonjë marrëveshje për çështjen e dinarit.

Madje, kryenegociatori kosovar e quajti këtë takim si “të kotë dhe pa rezultat”.

Sipas Bislimit, ndonëse pritej të diskutohej mbi “propozimin e konsoliduar” të Lajçak-ut, në vend të saj Serbia kishte ardhur me një propozim krejtësisht të ri, duke dashur që situatën ta kthejë në pikën fillestare.

Si përfundim, ai tha se nuk pranuan këtë gjë dhe në fund Serbia pranoi të kthehet te propozimi i palës evropiane.

“Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen” – ka thënë Bislimi.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot më 18 prill në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të diskutuar për një zgjidhje për çështjen e dinarit të Serbisë.

Takimet nisin në mëngjes, sipas praktikës së mëhershme. Fillimisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, do të takohet ndaras me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe më pas do të ketë një takim dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Ky është takimi i tretë mes kryenegociatorëve, dhe i katërti mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përpjekjet për zgjidhjen e çështjes që lidhet me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia për qytetarët serbë në Kosovë.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ditë më parë tha se në të synohet gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Rundi i fundit i bisedimeve për këtë çështje mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë dallime të mëdha, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi vullnet të mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.