Pse delegatja e Malit të Zi votoi kundër Kosovës në Komitetin e Këshillit të Europës?

Pasi delegati i Malit të Zi votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës, Qeveria e koalicionit tha se ‘qëndrimi i një deputeti’ nuk ishte ‘politika zyrtare e Qeverisë’, raporton Balkan Insight.

Qeveria e Malit të Zi e sheh Kosovën si një vend të pavarur dhe një partner të besueshëm, tha zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj, duke komentuar votën e përfaqësuesit të Malit të Zi, i cili kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës në Komisionin për Çështje Politike të Këshillit të Europës të mërkurën, më 27.03.2024.

Komiteti, megjithatë, të mërkurën mbështeti kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Përfaqësuesja malazeze Maja Vukiçeviq, deputete e Partisë Popullore Demokratike (pro-serbe), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, votoi kundër anëtarësimit të Kosovës, kundër politikës zyrtare të vendit.

Sipas marrëveshjes së koalicionit të nënshkruar në prag të formimit të Qeverisë së udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Europa Tani, Milojko Spajiq, koalicioni do të respektojë të gjitha obligimet e mëparshme ndërkombëtare, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës.

Gjeloshaj nuk u përgjigj qartë nëse vota e Vukiçeviqit e kishte shkelur atë marrëveshje.

“Pozicioni i një deputeti nuk do të thotë se është politikë zyrtare e Qeverisë së Malit të Zi. Qeveria do të japë qëndrimin e saj zyrtar për anëtarësimin e Kosovës kur të votohet në Këshillin e Ministrave të KiE. Ky është qëndrimi i Qeverisë dhe shtetit. Pjesa tjetër janë pikëpamjet e deputetëve që kanë të drejtë ta bëjnë këtë” – tha Gjeloshaj në një përgjigje të BIRN.

Ai tha se qëndrimi i Qeverisë për pavarësinë e Kosovës është i qartë.

“Kosova është e pavarur dhe si e tillë, partneri ynë i besueshëm. Kështu do të jetë edhe në integrimin tonë europian. Ne kemi marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe shumë shpejt do të kemi një ambasador në Kosovë, kështu që kjo Qeveri nuk ka asnjë dilemë – marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë, me të gjitha vendet që i kemi njohur” – ka shpjeguar Gjeloshaj.

I pyetur nëse Mali i Zi do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës kur të votohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, Gjeloshaj tha se Qeveria është një organ kolektiv.

“Qeveria duhet të deklarojë se autorizon dikë që të votojë në emër të saj. Do të ndalem këtu, por duke e ditur qëndrimin dhe angazhimin e Qeverisë në procesin e integrimit europian, publiku mund të jetë afërsisht i qartë se si do të vendosim” – tha Gjeloshaj.

Votimi i Vukiçeviqit u dënua nga disa parti opozitare. Partia Demokratike e Socialistëve, e cila ishte në pushtet për 30 vjet deri në vitin 2020, tha se Spajiq po shantazhohej nga partitë pro-serbe në koalicion dhe pretendoi se politika shtetërore ishte bërë zyrtarisht anti-europiane./Balkan Insight.