Foto: Kuvendi i Kosovës

Bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi miraton në parim Projektligjin për Zyrtarët Publikë

Më 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, në seancën e mbajtur më 25.04.2024.

Në gusht të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Ligji për Zyrtarët Publikë t’i dërgohet Presidentes së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës.

Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata ka theksuar se disa nene duhet të ndryshohen.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e sotme ka prezantuar para deputetëve Projektligjin ndërsa ka thënë se i njëjti përfshinë zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses.

“Ky projektligj ka për qëllim ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit ndër të tjera duke përfshirë zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilën kuvendi është obliguar të ndryshoj disa nga dispozitat brenda gjashtë muajve. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese projektligji përcakton se të punësuarit në agjencitë e pavarura konsiderohen nëpunës civil me status të veçantë”- ka thënë ajo,

Ndërsa, ka njoftuar se projektligji ka përcaktuar edhe të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve në listën e pritjes, duke përfshirë edhe lartësinë e kompensimit.

“Përveç plotësimit dhe ndryshimit të dispozitave sipas Gjykatës Kushtetuese në këtë projektligj MPB ka adresuar edhe disa çështje tjera që kanë qenë pengesa në praktikë”- ka thënë ajo.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK nuk janë përfshirë në diskutimet as në votimin për miratimin e këtij projektligji sot.

Në dhjetor të vitit 2022, Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese duke paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në katër nene të këtij ligji.

I njëjti ishte dërguar në Gjykatë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas miratimit të Ligjit për zyrtarët publikë Bashkimi Evropian kishte reaguar duke thënë Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.