Jeta në Kosovë debaton për tabutë shoqërore rreth martesave

Sonte Jeta në Kosovë, diskuton për tabunë erimartesave të grave të veja dhe martesave për letra.

Pse burrat që u vdesin gratë martohen përsëri shumë shpejt, ndërsa shoqëria i inkurajon gratë që të mbajnë zi dhe të mos rimartohen? Sa është i përhapur fenomeni i martesave për letra? Çka thonë hoxhallarët për këto dukuri? Cilat janë dallimet në perceptimet e shoqërive në Kosovë, Bosnjë dhe Mbretëri të Bashkuar për martesat e të vejave të luftës?

Për të diskutuar për qasjen e shoqërisë kosovare rreth këtyre dukurive të institucionit të martesës, mysafirë të Jeta Xharrës në studio janë:

Nita Luci, antropologe,

Sabri Bajgora, Kryeimam i Kosovës,

Fahrije Hoti, nga Shoqata e Grave të Veja ”Krusha”

Majlinda Aliu, gazetare dhe njëherësh fituese e çmimit të parë të Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari 2010 me artikullin për rimartesat e grave të veja,

Jeton Musliu, gazetar dhe njëherësh fitues i çmimit të tretë të Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari 2010, me artikullin e tij për martesat e rrejshme për letra.

Në kuadër të emisionit BIRN transmeton filmin dokumentar për martesat e shqiptarëve me gra zvicerane e gjermane për letra, të realizuar në kuadër të Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari për vitin 2010.

Bursa Ballkanike për Ekselencë në Gazetari është themeluar në vitin 2007 nga fondacioni Robert Bosch dhe ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, për të promovuar ekselencë në gazetari dhe raportim të balancuar të çështjeve komplekse për reformat të cilat kanë rëndësi për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Tema për këtë vit është DREJTËSIA. Për më shumë rreth programit dhe mënyrës së aplikimit, vizitoni www.fellowship.birn.eu.com