Jeta në Kosovë debaton për mos rritjen e pagave

Sonte në emisionin Jeta në Kosovë mund të ndiqni debat për mos-rritjen e pagave të shërbyesve civilë në Kosovë.

Si ndodhi që premtimi për rritje pagash nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi, nuk u realizua? A ka qenë legjitim vendimi i qeverisë për rritje pagash? Çfarë pasojash mund të ketë në të ardhmen mos zbatimi i vendimit për rritje pagash? Cili është qëndrimi i Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për këtë vendim?

Për t’i diskutuar këto dhe të tjerat në lidhje me mosarritjen e pagave, ligjin për buxhet, dhe pasojat e mos-miratimit të buxhetit dhe rritjes së pagave pa mbulesë buxhetore, mysafirë të Muhamet Hajrullahut në studio janë:

Haxhi Arifi – Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK

Haki Shatri – Ish ministër i Ekonomisë

Lumir Abdixhiku – Drejtor Ekzekutiv i Riinvest dhe

Arbana Xharra – Gazetare e Ekonomisë në të përditshmen Zëri

Gjatë debatit, gazetarja Edona Musa sjellë reportazhë me punëtoret e arsimit dhe shëndetësisë të cilët flasin për zhgënjimin që përjetuan nga fakti që rrogat e tyre nuk u rritën përkundër premtimeve dhe nënshkrimit të listave me paga të rritura.

Pas debatit, Jeta në Kosovë transmeton reportazhin e gazetarit Alban Selimi në të cilin flitet se si u shkatërrua asfalti i shtruar vetëm para katër muajve në komunën e Obiliqit.

Krejt në fund, ndiqeni reportazhin në lidhje me turneun e debatit “Karl Popper” – “Peja Open 2011”, i cili u mbajt vikendin e fundit, më 29 dhe 30 janar, ku të rijnë të shkollave të mesme të katër qyteteve të Kosovës debatuan për temën e Zgjedhjeve.