Të rinjtë debatojnë për temën e Zgjedhjeve në turnirin e tretë të debatit “Karl Popper”

Më 29 dhe 30 janar 2011, në Gjimnazin “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, do të mbahet turniri i tretë i debatit Karl Popper, “Peja Open 2011”, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Lëvizja FOL, në bashkëpunim me organizatat “Syri i Vizionit” në Pejë, YIHR në Prishtinë dhe INPO në Ferizaj.

Ky turnir do të mbledhë shumë të rinj të shkollave të mesme të cilët do të debatojnë për tema të ndryshme në lidhje me zgjedhjet. Pjesëmarrësit e ndarë në 22 skuadra debatuese do të jenë nga Komuna e Pejës, Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës, përderisa për herë të parë në turnament do të marrin pjesë edhe debatues nga radhët e komunitetit RAE.

Në ditën e parë, pjesëmarrësit do të debatojnë gjatë 3 rundeve kualifikuese përderisa më 30 janar, debatuesit do të zhvillojnë çerek-finalen, gjysmë-finalen dhe finalen e madhe të turnamentit, e cila do të mbahet në Kino Teatër “Jusuf Gërvalla duke filluar nga ora 15:00.

Tema e përgjithshme e debatit do të jetë “Zgjedhjet” përderisa disa nga rezolutat që do të debatohen janë “Kuvendi duhet të rrisë mbështetjen financiare për Partitë Politike” si dhe “Kosova duhet të zbatoj votimin elektronik”.

Sipas traditës së organizimit të turnamenteve, kësaj radhe nikoqir do të jetë OJQ “Syri i Vizionit”, i mbështetur gjithashtu nga Komuna e Pejës.

Organizatat partnere, që nga viti 2009 janë duke punuar në vazhdimësi për zhvillimin e programit të debatit në mënyrë që të promovojnë dhe përhapin sa më shumë kulturën e debatit tek nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, si dhe të aftësojnë sa më shumë të rinj për të mendim kritik dhe argumentim.