BIRN fiton çmimet e para në dy nga tri kategoritë për gazetari në fushën anti-korrupsion

Në kuadër të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve për gazetarët më të mirë për raportim mbi teknikën e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit në Kosovë nga Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Kosovës, UNDP dhe Agjensioni Kosovar Kundër Korrupsionit, juria përmes votimit ka shpallur fituesit e çmimeve kryesore. Gazetarët hulumtues të BIRN-it Alban Selimi, Lawrence Marzouk dhe Petrit Çollaku janë shpërblyer me çmimet e para për anti-korrupsion në kategorinë e gazetarisë televizive si dhe gazetarinë e shkruar.

Alban Selimi është shpërblyer me çmimin e parë për gazetari hulumtuese televizive me raportin e tij hulumtues të përfitimit të paligjshëm të 16,800 eurove nga falsifikimi i dokumenteve nga një avokat dhe gjykatës në Klinë.

“Ky çmim për mua ka një rëndësi të veçantë, pasi që është shpallje zyrtare e korrupsionit si “armik”. Është një vlerësim për punën time dhe të kolegëve të mi të BIRN-it, që me përkushtim të madh punojmë në eliminimin e korrupsionit dhe dukurive tjera negative në Kosovë. Megjithatë ajo që na brenë si gazetarë dhe qytetarë të këtij vendi është se shkalla e korrupsionit vazhdon të jetë ende e lartë,” tha Selimi.

Poashtu gazetarët Lawrence Marzouk dhe Petrit Çollaku kanë fituar vendin e parë për gazetari hulumtuese të shkruar, për shkrimin e tyre hulumtues në gazetën Prishtina Insight që është botim i BIRN-it, në lidhje me tenderët e rrugëve në Kosovë dhe dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Postë Telekomunikacionit.

Duke komentuar për çmimin e sapomarrë, Çollaku u shpreh “Ka qenë punë disamujore në shumë dokumente dhe në shumë tenderë për rrugët e Kosovës të cilët janë dhënë nga Ministria e Transportit dhe gjetjet ishin brengosëse. Kjo ministri është hulumtuar për shkakun se ka qenë ministria me më së shumti buxhet, ku shumë miq dhe të afërm të ministrit të transportit kishin fituar tenderë disa milionësh dhe ku shumë kompani që kanë bërë shtrimin e rrugëve ishin zbuluar për mosefikasitet dhe me përvojë të pakët. Storja ka dëshmuar që problemi me tenderët e dhënë nga qeveria është çështje shumë serioze”.

Ky është viti i katërt me radhë që BIRN fiton çmimet kryesore për gazetari hulumtuese në Kosovë dhe ky është një inkurajim për punën e palodhshme të një stafi profesional dhe të guximshëm të gazetarëve që mbesin të përkushtuar të raportojnë për çdo rast të korrupsionit, shpërdorimit të pozitës zyrtare, shkeljeve gjatë ushtrimit të pozitës zyrtare, keqpërdorimit të parave të taksapaguesve kosovarë dhe të ofrimit të shërbimeve publike jo-kualitative për qytetarët e Kosovës.