Shqiprim Arifi dhe “Alternativa për Ndryshim” dënohen për vendosjen e flamurit kombëtar në Bujanoc

55 mijë dinarë është dënimi që ka pranuar partia “Alternativa për Ndryshim” për vendosjen e flamurit shqiptar në selinë e saj në Bujanoc. Nga kjo gjobë, 5 mijë dinarë obligohet t’i paguaj personalisht Shqiprim Arifi, si kryetar i kësaj partie.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Arifi ka shpjeguar se flamuri kombëtar ishte vendosur me rastin e festës së 28 Nëntorit.

Dënimin prej 55 mijë dinarëve apo rreth 470 eurove (sipas kursit të valutave), Arifit dhe “Alternativës për Ndryshim” ua ka shqiptuar Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë.

“Ky aktvendim është pjesë e kolazhit diskriminues dhe shkeljeve të drejtave sistematike individuale, kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shkruan mes tjerash Arifi.

Tutje Arifi thotë se derisa Qeveria e Kosovës është në fazën finale të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu mohohen të drejtat elementare si vendosja e flamurit kombëtar.

Ai thotë se të drejtat e shqiptarëve në Serbi po shkojnë në divergjencë me të drejtat e serbëve në Kosovë.

“Sa më shumë të drejta për serbet në Kosovë aq më pak të drejta për shqiptarët në Serbi. Deri kur?”, ka pyetur Arifi.