Liburn Aliu flet për intervistimin e Hysen Durmishit nga Prokuroria: Është i pastër

Pas intervistimit të zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi nga Prokuroria Speciale e Kosovës, më 08.05.2024, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një intervistë për emisionin “Udhëve” të Radio Televizionit të Kosovës, është deklaruar se Durmishi është “i pastër”.

Hysen Durmishi është intervistuar në Prokurorinë Speciale si i dyshuar në lidhje me tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Ministri Aliu ka thënë se është takuar me zëvendësin e tij pas intervistimit të tij nga Prokuroria.

“Po, jam takuar me zëvendësministrin Durmishi pasi e ka mbaru intervistën tek prokurori. Është intervistu në cilësinë e të dyshuarit dhe është intervistu si rezultat i një kallëzimi penal nga ana e një operatori ekonomik lidhur me kontratën (për rrugën) Prishtinë – Podujevë. Unë konsideroj që zotëri Durmishi në këtë pikë ashtu siç është deklaru, është i pastër, veprimi i tij pra kur e dëshmon edhe vlerësimi të themi nga OShP-ja” – ka thënë Durmishi.

Kur pyetet për pretendimet e operatorit ekonomik, ministri Aliu përmend se cilat janë këto pretendime dhe se një raport nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është në favor të Ministrisë që ai drejton, në lidhje me këtë rast.

“E para është konsideru që operatori ka zhvillu ankesë, në ndërkohë që kontrata është nënshkru pa ardhë akoma përgjigjja nga OShP-ja dhe përgjigjja nga OShP-ja i ka dhënë plotësisht të drejt Autoritetit kontraktues në këtë rast, raportin që e ka dhënë OShP-ja është në favor të Ministrisë, në favor të Autoritetit kontraktues, e konsideron ankesën e palës si ankesë të paligjshme dhe të pabazuar dhe në anën tjetër edhe Operatorin ekonomik e konsideron të papërgjegjshëm” – është shprehur Aliu.

Edhe pse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka konstatuar se MMPHI ka bërë shkelje kur ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë duke pasur ankesë aktive, zëvendësministri Hysen Durmishi që është një nga tre nënshkruesit e këtyre kontratave, vazhdon të insistojë se procedurat kanë qenë në rregull.

Ai para gazetarëve, pas intervistimit nga Prokuroria, tha se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

“I sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

Ai tutje kishte deklaruar se bëhet fjalë, sipas tij, për një kallëzim penal që e ka bërë një operator ekonomik që ka ofertuar në tender, ndërsa ka thënë se ka vendime të OSHP-së për këtë çështje të cilat janë publike dhe sipas tij, dëshmojnë pastërtinë në këtë proces.

“Prandaj, thjesht ishin disa sqarime të prokurorit të cilat ai i mori, e tash po presim se çka. E keni vendimin e OSHP-së për këtë rast i cili e ka shpallur ankesën e tij të pabazuar dhe na ka dhënë të drejtë neve si Autoritet Kontraktues, thjesht ai i ka konstestu procedurat në të cilët është zhvillu i gjithë ky proces” – tha Durmishi.

Në anën tjetër, vendimi i OSHP-së i datës 04.12.2023 e kishte konfirmuar se nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e lotit të dytë të magjistrales Prishtinë – Podujevë, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi për këtë lot kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.

Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15.06.2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19.06.2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontrata ishte nënshkruar edhe nga Hysen Durmishi, zv/ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv/zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.

Një nga pesë kontratat, ajo në vlerë prej 9.2 milionë eurove i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.

Për shkak të mospezullimit të aktivitetit të prokurimit, Gjykata e Tenderëve ka kërkuar që t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në këtë ministri. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) e kishte konfirmuar për KALLXO.com se zyrtari i ministrisë që OSHP ka kërkuar t’i revokohet certifikata është Nexhat Krasniqi.

Përkundër shkeljeve të konstatuara, OSHP-ja kishte rekomanduar që vendimi i ministrisë dhe kontrata e nënshkruar me kompaninë “Bageri” të mbetet në fuqi.

“Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik duke ju referuar nenit 104 par. 4 pika (iii) të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik”- thuhej në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).